Protestat prekin transportin urban, Shoqata letër Bashkisë së Tiranës për njohjen e kompensimit
Shoqata e Transportit Publik Qytetas i kërkon Bashkisë së Tiranës të njohë si të realizuar kilometrat e humbur nga devijimet e shkaktuara nga protestat.

Protestat që po zhvillohen prej 14 ditësh në Tiranë po sjellin pasoja edhe për transportin publik urban. Tubimet, që nisin në orët e pasdites dhe vijojnë deri vonë në mbrëmje me marshime në zonat pranë qendrës së kryeqytetit, kanë krijuar një situatë të pazakontë për operatorët e transportit publik, të cilët po përballen njëkohësisht me rritje të numrit të pasagjerëve dhe me vështirësi në realizimin e itinerareve të planifikuara.
Në disa linja urbane është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të udhëtarëve, veçanërisht në orët e vona të mbrëmjes. Sipas punonjësve të transportit publik, frekuentimi i lartë në orët 22:00 dhe 23:00 është një fenomen i pazakontë për kryeqytetin dhe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e protestave.
Rriten pasagjerët, por ulen kilometrat e përshkuar
Megjithëse numri i udhëtarëve është shtuar, bllokimet e trafikut dhe devijimet e detyruara të itinerareve kanë reduktuar kilometrat që autobusët arrijnë të përshkojnë gjatë shërbimit. Kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e operatorëve, pasi kompensimi që ata marrin nga Bashkia e Tiranës llogaritet mbi bazën e kilometrave të realizuar.
Në Tiranë, transporti publik financohet përmes një kombinimi të subvencioneve nga Bashkia dhe investimeve të kompanive private. Sipas kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, niveli i kompensimit përcaktohet në bazë të përqindjes së itinerarit të realizuar nga operatorët.
Nëse realizohen nga 94 deri në 96 për qind e kilometrave të planifikuara, operatorët përfitojnë kompensim prej 0.9 lekësh për çdo biletë të shitur. Kur realizimi bie në intervalin 92–94 për qind, kompensimi është 0.8 lekë për biletë, ndërsa për realizim nga 90 deri në 92 për qind kompensimi zbret në 0.7 lekë për biletë.
Devijime në disa prej linjave kryesore
Për shkak të protestave dhe bllokimeve në disa akse të rëndësishme të kryeqytetit, operatorët janë detyruar të ndryshojnë itineraret e linjave të ndryshme, përfshirë ato të Unazës së Vogël, Tiranës së Re, TEG-ut, Kristalit dhe zona të tjera të prekura nga kufizimet e qarkullimit.
Sipas operatorëve, këto devijime kanë qenë të detyruara dhe të pavarura nga vullneti i tyre, ndërsa shërbimi për qytetarët ka vijuar në masën më të madhe të mundshme.
Letër Bashkisë për njohjen e kilometrave të humbur
Në këtë situatë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka dërguar një kërkesë zyrtare Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar që kushtet e krijuara nga protestat të merren në konsideratë gjatë vlerësimit të performancës së operatorëve.
Në letër theksohet se kilometrat e parealizuar si pasojë e bllokimeve dhe devijimeve të shkaktuara nga protestat duhet të konsiderohen si kilometra të realizuar për efekt të vlerësimit të performancës dhe detyrimeve kontraktore.
“Kërkojmë që kilometrat e parealizuara si pasojë e këtyre rrethanave të njihen dhe të konsiderohen si kilometra të realizuara për efekt të vlerësimit të performancës dhe detyrimeve kontraktore të operatorëve”, thuhet në kërkesën drejtuar Bashkisë së Tiranës.
Aktualisht në kryeqytet operojnë rreth 50 linja autobusësh me një flotë prej afërsisht 200 autobusësh, të cilët po përballen me ndikimin e drejtpërdrejtë të kufizimeve të qarkullimit të shkaktuara nga protestat.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)